Skënder Gega, trajneri i Partizanit, ishte i kënaqur pas fitores që skuadra e tij mori kundër Skënderbeut. Të kuqtë po kalonin një krizë dhe vetë tekniku e pranoi diçka të tillë pas disfatës me Luftëtarin. Gjithsesi gjërat kanë nisur të marrin për mirë sërish.
“Patëm një 10-ditësh jo shumë të mirë. Edhe pse humbëm ndeshjen e parë me Luftëtarin, me Kukësin treguam që ishim aty. Reflektuam pak, por më pas pati edhe eufori. Është e pandalshme kjo në futboll. Ekipi reagoi mirë me Skënderbeun, jam i kënaqur nga të gjithë çunat, duke nisur nga Atanda i pari”, deklaron Gega fillimisht.
“Transformimi brenda pak ditësh? Siç është një ditë, nuk është dita tjetër. Nëse e fillon mirë, e mbaron mirë. Nëse e nis keq, është shumë e vështirë ta korrigjosh. Besoj se jemi këtu me meritë dhe kemi besuar shumë shumë pak në tre faza. Kemi gabuar shumë më pak se ekipet e tjera. Rëndësi ka që të ishim përpara”, shtoi tekniku i të kuqve.
FITORJA E KUKËSIT – Para se Partizani të zbriste në fushë me Skënderbeun, kishte mësuar se Kukësi rival mori pikët e plota kundër Laçit. Gega thotë mendimin e tij nëse ndikoi ai takim te skuadra e tij: “I ka të dyja medaljet kur di rezultatin e kundërshtarit. Deri sa nuk ka nisur ndeshja, ka një farë përgjegjësie, një farë tensioni. Ndonjëherë shërben për mirë dhe nga ajo që pashë kështu ndodhi”.
DUKA – Dilaver Duka e nisi titullar dhe në momentin e zëvendësimit pati duartrokitje nga tifozët. Tekniku i të kuqve e komenton kështu paraqitjen e mesfushorit: “Nuk besoj se është në maksimum. Po e bën pjesën e tij mirë. Shpresoj dhe kam besim se do e bëjë shumë më mirë. Do një kohë të përshtatet, fizikisht ka pasur probleme. Për aq kohë sa luajti, mendoj se bëri mirë”.
TITULLI DHE DËSHIRA E IBRAHIMIT – Edhe pse kanë mbetur edhe 7 ndeshje për t’u luajtur në fushë, te Partizani nuk kanë dëshirë të flasin për titullin kampion. Gega është i prerë: “Kur llogarisni të festoni titullin? Në Gjirokastër. Ta ruajmë këtë distancë me 9 pikë. Do mundohemi të rikuperohemi këto ditë që nuk luajmë me Kamzën. Tre pikët i marrim siç i kanë marrë të tjerët. Do mendojmë për ndeshjen e radhës, që është po aq e vështirë”.
“Ibrahimi do donte që titullin ta festonte në derbi? Ibrahimi ka eksperiencë këtu, unë jam i ri në kampionat në krahasim me të. Nëse e ka thënë, uroj t’i dalë. Për mua ai luajti mirë dhe tregoi se futbolli nuk ka moshë”, deklaron trajneri i Partizanit.
DEKLARATA E STAROVËS – Para pak ditësh, Sulejman Starova deklaroi në emisionin “Zona Gol” në Supersport se Partizani i para dy viteve, me Ekuban dhe Torasën, nuk krahasohet me ekipin aktual. Madje “Bobi” theksonte se ishin si nata me ditën. Gega, edhe këtë herë shmanget:
“Secili është i dashuruar me punën e vet, me grupin e vet. Unë këta nuk i ndërroj me asnjë. Pjesën më të madhe i kam gjetur, nuk është se kam sjellë diçka me vete. Jam munduar të punoj me mënyrën time. Rëndësi ka që të arrijmë objektivin dhe të jemi të gjithë të kënaqur. Starova dhe gjithë ish-trajnerët e tjerë kanë vënë nga një tullë. Kur të vijë koha për të festuar, besoj se edhe ai do jetë pjesë shumë e rëndësishme”.
VLADIMIR PRENGA