Partizani dhe lideri i Kamzës, Idrizaj “hap kartat”

Në Kamzë sigurisht që janë të kënaqur pas fitores me Tiranën. Hektor Idrizaj, vlonjati i pozicionuar në të majtë të mbrojtjes, tregon se mangësitë që kishin i mbuluan me shpirtin luftarak që treguan në fushën e blertë.

“Fillimi i mbarë gjysma e punës. Jemi të kënaqur me rezultatin, pasi e vlerësuam ndeshjen dhe e nisëm mirë. Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe Tirana tregoi kualitetin e tij, por ndeshjen e vendosin edhe episodet. Në fillim të kampionatit është e rëndësishme që të kapësh ritmin dhe ne kishim pak mungesë besimi në mbajtjen e topit dhe qarkullimin e tij, por e kompensuam me grintën dhe shpirtin luftarak që treguam në fushë”, deklaron Idrizaj në “Supersport”.

Ndeshja e radhës luhet në shtëpi, por Kamza nuk do të ketë mbështetjen e publikut. Idrizaj flet për rivalin: “Partizani ka vlerat dhe specifikat e veta. Është një skuadër me cilësi, por ne jemi duke punuar dhe jemi gati të japim maksimumin. Besoj se di të jetë një ndeshje për t’u shijuar, ku të dy skuadrat do të japin më të mirën dhe do të fitojë ajo që do ta meritojë”.

Idrizaj nuk flet për objektiva. Sezoni i fundit duket se ka shërbyer si mësim. Shumëkush mendoi se Kamza do kapte kupat  e Europës, por më pas mbijetesa u sigurua vetëm në javën e fundit të kampionatit.

Ai tregon edhe liderin e Kamzës:  “Sebinos i kërkova mbas ndeshjes, që të na tregojë sekretin e formës së mirë. E nisi aty ku e la, duke shënuar gol për Kamzën. Gjatë këtyre dy muajve jemi stërvitur duke menduar se Sebino është pjesë e skuadrës tonë. Ai e njeh fizionominë e skuadrës, ndaj jo më kot është kapiteni dhe njeriu i momentit te Kamza”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *