Parolo: Derbi është ndeshja e njerëzve, vendos Imobile!

Derbi është ndeshje ndryshe nga të tjerat. Marko Parolo e ka kuptuar dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë një ndeshje Roma-Lacio. E radhës luhet nesër prej orës 15:00 dhe mesfushori i Lacios ka dhënë një intervistë për “Corriere dello Sport”.

Ai është i lumtur që përballen me Romën në kushtet kur rivali po kalon një moment jo të mirë. Gjithsesi ai e pranon se kurrë nuk mund të bësh llogari se cili është favorit në derbi.

Marko, çfarë është derbi për ju?
Derbi është një ndeshje që e njeh vetëm kur mbërrin në Romë. Deri në momentin që nuk e kisha luajtur derbin e parë nuk e kuptoja se çfarë do të thoshte. pasi e kupton, kthehet në një lojë që nëse e ke një shpirt, duhet ta jepni për të fituar. Mund të shikosh në sytë e njerëzve, të tifozëve, një emocion, një gëzim të pabesueshëm, origjinal dhe unik. Të gjithë ndeshjet janë të rëndësishme për trajnerin, për lojtarët, për klubin. Por derbi është ndeshja ku luan për njerëzit, për tifozët.

Si e shikoni derbin e këtij sezoni?
-Është gjithmonë një ndeshje ku nuk mund të llogaritet nëse është një moment i mirë për ne apo për ata. Është një ndeshje e vetme që vendoset nga episodet. Sigurisht ne duam të themi që derbi është i yni dhe në ndeshjet e fundit me Romën kemi luajtur gjithmonë mirë. Shpresoj që edhe këtë herë të shkojë mirë. Nëse luajmë si nga Lacio, mund të fitojmë.

Kush mund ta vendosë derbin?
-Unë them Imobile, për ne. Është një lojtar i mrekullueshëm, është e vështirë të gjesh të tjerë si ai. Në futboll, sidomos në këtë modernin me mbrojtje të forta, nëse shënon shumë arrin të bësh diferencën për gjithë skuadrën. Për ata është Xheko lojtari që mund të të vërë në vështirësi në çdo moment.

Si mund ta shpjegoni situatën e Romës në këto momente?
-Nuk është e lehtë ta shpjegosh dhe nuk është një situatë e thjeshtë. Kur bën një sezon të shkëlqyer – nuk duhet harruar se Roma arriti në gjysmëfinalet e Champions League – dhe në verë bën transferime të rëndësishme me lojtarë vendimtar, atëherë duhet gjetur një ekuilibër dhe rezultatet e tregojnë diçka të tillë. Unë e pashë ndeshjen me Bolonjën dhe nëse Roma do të kishte fituar, nuk do të ishte thënë asgjë. Rastet i kishin. Në futboll gjërat gjykohen shpesh mbi rezultatin dhe jo mbi paraqitjet, Kam frikë se kjo është e pashmangshme. Sigurisht mungesa e pikëve në renditje nuk sjell qetësi. Jam i sigurt se Roma është një ekip me lojtarë të fortë dhe herët a vonë do të dalë nga kjo situatë. Është fakt që ne jemi të lumtur që vihemi përballë tyre në këtë moment.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *