Trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, ka folur në mikrofonët e Premium Sport në Itali, në prag të sfidës kundër Italisë, duke shpjeguar se përtej emocioneve që ka duke qenë përballë vendit të tij, do të mundohet t’i hapë probleme skuadrës së drejtuar nga Ventura: “Do të jetë një emocion i pabesueshëm të jem përballë vendit tim, por jam profesionist dhe do ta mbroj punën time deri në vdekje. Do t’i stimuloj lojtarët e mi që të japin maksimumin. Himni? Nuk do të hutohem, fundja edhe kur isha lojtar nuk e këndoja, preferoja ta dëgjoja dhe të ndieja emocionet e mia, gjithnjë me respekt”.
Ventura është në vështirësi tek Italia: “Është e pranueshme të dalësh i dyti në një grup me Spanjën, por dihet që në Itali shpesh ka shumë negativitet. Ventura e ka trashëguar skuadrën në një moment të vështirë të futbollit italian, por di të mësojë futboll, u ka dhënë besim dhe ka vlerësuar shumë të rinj dhe e çmoj. Shqipëria ka një bazë të mirë dhe synojmë të kualifikohemi në Euro 2020. Natyrisht, do të duhet edhe pak fat te shorti. Besoj shumë te grupi, tek të treguarit në fushë ç’do të thotë të jesh shqiptar. Unë sjell idetë e mia, duke e ditur që kam një bagazh të rëndësishëm me vete, duke qenë se jam stërvitur nga trajnerë të mëdhenj, nga të cilët kam mësuar shumë gjëra”.