Korabi nuk ia doli që të ngjitet në Kategorinë Superiore sezonin e shkuar, por duket se në kampin dibran kanë filluar përforcimet për të synuar ngjitjen në elitë. Përveç afrimeve, ka pasur disa tratativa për të rinovuar me titullarët e skuadrës, përfshirë këtu dhe mbrojtësin Bekim Dida.
21-vjeçari ka luajtur 17 ndeshje në Kategorinë e Parë sezonin e shkuar, duke mbuluar disa role në fushën e lojës. Didës i skadon kontrata në janar dhe së bashku me presidentin e skuadrës, Fehmi Mëziu, kanë rënë dakord paraprakisht për rinovimin e saj.
Dida ka pasur oferta nga disa skuadra në IPKO Superliga dhe nga Maqedonia, por ka vendosur të mos largohet nga Shqipëria. Mbrojtësi ka dalë nga Akademia e Kukësit dhe mbylli sezonin e tij të dytë me fanellën e Korabit.