Oferta e fundit e tundon, Konte pranë rikthimit në Serie A?

Antonio Konte është gati të rikthehet në stol. Trajneri italian qëndron pushim prej një viti pas largimit nga Çelsi. Ai preferohet nga Bajerni i Mynihut, PSG, Juventusi, Milani, Interi Dhe Roma.

Këta të fundit po bëjnë maksimumin për ta bindur atë. Takimet mes drejtuesve të Romës dhe Kontes kanë qenë intensive, madje ka patur një takim edhe me Françesko Totin. Ish-kapiteni legjendar është një nga zërat që insistojnë për afrimin e 49-vjeçarit.

Guido Fienga, i cili mban postin e administratorit të deleguar të verdhekuqve, po bisedon  prej 4 muajsh me trajnerin leçez. Mes tyre është krijuar një raport shumë i mirë dhe Konte po dëgjon me vëmendje projektin e klubit nga kryeqyteti.

Roma është gati t’i ofrojë një kontratë 3-vjeçare me një rrogë prej 9.5 milionë eurosh në sezon. Synimi dhe ëndrra e madhe është fitimi i titullit kampion. Të arrish një objektiv të tillë me ekipe “big” është kënaqësi, por edhe detyrim.

Ta arrish me Romën, do të ishte diçka e paharrueshme dhe një emocion i papërshkrueshëm. Konte tundohet nga kjo ide dhe së shpejti mund të vijë përgjigja pozitive dhe ulja në stolin verdhekuq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *