Namdi Oduamadi është një prej lojtarëve të afruar këtë verë te Tirana. Ish-futbollisti i Milanit nënshkroi një kontratë 2-vjeçare nga e cila përfiton një shumë të konsiderueshme në aspektin financiar. Futbollisti 28-vjeçar u dëmtua në ndeshjen me Laçin dhe u mendua se kishte një krisje në klavikulën e shpatullës.
Por situata e tij ishte më e rëndë, pasi e kishte thyer. Nigeriani u dëmtua në ndeshjen kundër Laçit në fillim të muajit tetor dhe ende nuk është operuar. Pritet që së shpejti të ndodhë diçka e tillë dhe rikthimi i tij në fushën e blertë do të vonojë.
Para muajit mars ai nuk mund të jetë gati, ndaj nuk përjashtohet mundësia që drejtuesit të tentojnë të zgjidhin marrëveshjen me konsensus. Në këtë mënyrë në aspektin financiar do të zvogëlohej humbja, ndërkohë që do tentohej të afrohej një tjetër sulmues krahu.
Oduamadi nuk është se ka lënë ndonjë shenjë në ndeshjet që luajti me Tiranën këtë sezon. Ai luajti vetëm në dy ndeshje si titullar, ndërkohë që tre herë të tjera u fut në fushë si zëvendësues. Mbetet për t’u parë se si do të operohet në klubin bardheblu me nigerianin.