Kristof Piatek debutoi me Milanin në ndeshjen e kampionatit kundër Napolit në “San Siro”. Mjaftuan 20 minuta lojë dhe polaku i dha sinjalet e para se do të jetë e ardhmja e sulmit të kuqezinjve.
Më pas debutimi në formacion në Kupën e Italisë. Përsëri Napoli kundër, ndërsa Piatek shënoi një dygolësh të bukur dhe djemtë e Gatuzos fluturuan drejt gjysmëfinaleve. E fundit ndeshja me Romën. Milani mori një pikë të rëndësishme për garën për Champions, ndërsa Piatek nuk u ndal përsëri.
Goli i parë me Milanin në kampionat, i treti në dy ndeshje dhe i 14-ti në kampionat, pasi gjatë fazës së parë ka shënuar 13 të tillë me Xhenoan. Tifozët e “Djallit” po ëndërrojnë dhe të gjithë janë të çmendur pas 23-vjeçarit.
Në një prononcim për “Foot Truck”, sulmuesi flet për debutimin e tij me Milanin, formën fantastike që po kalon dhe ambiciet që ka si futbollit. Festimin nuk e kishte menduar, e bëri rastësisht pas golit të dytë të shënuar, ndërsa tifozët janë dashuruar me “pistoletën” polake.
PIATEK – “Kam shënuar gola në Serie A dhe kam zgjedhur vetë presionin. Më duhet të përshtatem, por është e sigurt që nuk do të ndryshoj. Përpiqem të jem gjithmonë vetvetja dhe të punoj siç kam bërë gjithmonë.”
MOMENTI FANTASTIK – “Sedorf më ka kërkuar të bëjmë një foto së bashku. Është fantastike që njerëz të tillë më njohin dhe duan të bisedojnë me mua. Me Shevçenkon biseduam në dhomat e zhveshjes përpara ndeshjes me Napolin. Pasi firmosa me Milanin më erdhi një mesazh nga Morata. Më kishte shkruar që po më ndjek dhe më uroi fat. Edhe kjo është diçka fantastike.”
FESTIMI – “Nuk isha përgatitur për këtë mënyrë festimi. Ju betohem se pasi shënova golin e dytë, bëra gjestin e pistoletës dhe mbeti e tillë. Më pas u bë talismani im dhe seria e golave ishte fantastike. Njerëzit në Itali janë çmendur pas meje.”
PËRMIRËSIMI – “Një sulmues duhet të shënojë nga çdo pozicion dhe pas stërvitjeve ushtrohem dhe për goditjet e dënimit. Jam përmirësuar fizikisht, në rezistencë dhe shpejtësi. Kohët e fundit kam përmirësuar dhe goditjet në portë. Nëse shohim golat e mi të fundit në kampionat janë të gjithë njësoj.”
DEBUTIMI – “Ka qenë një hap përpara në karrierën time. Kam mbetur i impresionuar kur mbërrita në Milanelo. Kundër Napolit isha i përqendruar dhe nuk i dëgjoja koret e tifozëve. Kisha vënë kufjet, lojtarët që nuk ishin në formacion u ulën në pankinë, ndërkohë që unë u futa në fushë i vetëm. Dëgjova duartrokitjet, hoqa kufjet dhe woow, ishte diçka e jashtëzakonshme. Fillova dhe unë të duartrokas dhe atmosfera u rrit. Një emocion i pabesueshëm, tifozët e Milanit përshëndesnin kështu një lojtar të ri, i cili nuk ka bërë akoma asgjë për klubin. Kur e di që jam titullar, nuk dal në fushë pa nisur nxehja. Ky është një ritual i imi. Nëse jam në pankinë, jam më i lehtësuar dhe hedh sytë nga tribuna.”
AMBICIET – “Pas stërvitjes së parë i thashë vetes: nëse shënoj 12 gola këtë sezon, do të jem i lumtur. Por oreksi vjen duke ngrënë. Më duhet të punoj fort çdo ditë, në çdo stërvitje dhe në fund rezultatet do të vijnë. Nuk ka rëndësi për mua, nëse luaj në ‘San Siro’, për Krakovian, apo për kombëtaren polake.”
IDHUJT – “Fanella ime e parë ishte e Real Madridit, e Ronaldo brazilianit. Më pas në dhomë kam pasur posterat e Mançester Junajtid ku luante Kristiano Ronaldo, si dhe të Arsenalit kur luante Tieri Henri.”