Te premten do të luhet derbi i munguar i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Duke qenë se ndeshja u vendos që të luhej më shpejt se pjesa tjetër e takimeve dhe në mesjavë janë programuar ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, si “demat” ashtu dhe bardheblutë duhet t’i luajnë ndeshjen e tyre 24 orë para skuadrave të tjera.
Në “Skënder Halili”, të besuarit e Ze Marias pritet që të ketë një mision të lehtë ndaj Ilirisë së Fushë-Krujës. Tirana arriti që të fitonte në ndeshjen e parë me rezultatin 1-3 dhe sot duhet të bëjnë vetëm detyrën në shtëpi.
Në Pezë “të kuqtë” do të presin Tërbunin dhe nuk pritet që të jetë një mision i vështirë as për ata, kjo për faktin se ndeshja e parë ka përfunduar në favor të Partizanit 0-1 në Pukë. Interesant fakti që asnjëra na skuadrat nuk e ka parë të nevojshme të përdorin stadiumin “Selman Stërmasi”, jo vetëm për faktin se nuk kanë takime delikate, por dhe për të ruajtur terrenin, i cili duhet të jetë në kushte perfekte për një ndeshje të shumëpritur.
Si Gega ashtu dhe Ze Maria me shumë mundësi sot do u besojnë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta, pasi vëmendja edhe për ta është tek sfida e javës së gjashtë. Skuadrat kanë nisur të ngrohin muskujt për ndeshjen vitrinë të kampionatit shqiptar.