Nuk është çështje fati, tashmë Gatuzo nën akuzë

Të shkosh në avantazh të dy golave në San Paolo dhe në 30 minutat e fundit të ndeshjes të dërrmohesh, kjo është më e dhimbshme se vetë humbja për Milanin, që një ditë pas sfidës hapëse në kampionat ende nuk e kupton si doli i humbur nga ajo sfidë.

Në rrjetet sociale shumë tifozë e kanë me lojtarë të veçantë, por edhe trajneri Xhenaro Gatuzo është në shënjestër, për disa zgjedhje që nuk kanë bindur.

Edhe Sportmediaset fajëson trajnerin, duke nisur nga formacioni titullar, me Fabio Borinin nga minuta e parë që është kritikuar si zgjedhje, me Bonaventurën në mesfushë. Dy lëvizje që krijonin përshtypjen se Milani mendonte për mbrojtje dhe kundërsulm, ndërsa goli i shpejtë bëri që kuqezinjtë të administronin topin sikur të ishte fundi i ndeshjes, me qarkullim topi shpesh të rrezikshëm.

Lukas Bilia ishte në një natë të errët, por ndoshta Bakajoko nga minuta e parë në të majtë të mesfushës do ta kishte ndihmuar shumë. Bilia, por edhe Musakio, gabuan rëndë te goli i parë i Napolit, ndërsa më pas Gatuzo gaboi duke larguar pikërisht Bilian dhe duke futur një shkatërrues si Bakajoko, që nuk dinte ç’të bënte me topin. Edhe më pas, në barazim 2-2, u preferua Laksalt për t’u mbrojtur dhe Samu Kastijeho për të sulmuar.

Në fund, tjetër gabim, sepse aktivizimi i Kutrones ishte i vonuar dhe dalja e Bonaventurës e ktheu mesfushën në një repart pa pikë cilësie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *