Nora: Luftëtari nuk e ka mbyllur merkaton

Drejtori sportiv i gjirokastritëve shprehet se pritet dhe një lojtar i huaj dhe se skuadra do të jetë gati shumë shpejt  

Gëzim Beqiri

Drejtori sportiv i Luftëtarit, Gentian Nora, ka folur në lidhje me përgatitjet që po bëhen në Greqi dhe për merkaton e gjirokastritëve, duke theksuar: “Merkaton nuk e kemi mbyllur, pasi presim edhe një futbollist tepër cilësor. Nuk mund ta konfirmoj pa mbyllur përfundimisht marrëveshjen. Për momentin mund të them se është nga vendet fqinje dhe është i katërti futbollist i huaj në skuadrën tonë. Nuk ka vonesë në fillimin e përgatitjeve. E vetmja vonesë kishte të bënte me organizimin e stafit teknik, sepse nuk ishte vendosur se kush do ta drejtonte ekipin. Sapo u zgjidh ky problem, ekipi u grumbullua dhje nisi stërvitjen. Objektivi ynë është të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Do të jetë e vështirë, sepse këtë sezon Luftëtarin do ta shohin më një sy tjetër, duke e vlerësuar si ekip tepër të fortë. Për mendimin tim, pavarësisht se është e çuditshme kjo që po them, kalendari është i favorshëm për ne. Dy takimet e para i luajmë në transfertë, por në ato fusha kemi marrë pikë”, – tha fillimisht Nora.

GRUPI – “Në shtatorin e një viti më parë, asnjë futbollist vendas nuk e kaloi testin për të qëndruar në ekip. Në janar federuam dy të rinj me ekipin si S.Puci dhe O.Qyrani. Tani janë shtuar edhe dy të tjerë. Pra, kemi katër futbollistë vendas nga asnjë të një sezoni të mëparshëm. Detyrat dhe përgjegjësitë janë të ndara në një klub futbolli dhe grupin e lojtarëve e zgjedh trajneri.”

 

Seleksionimi vazhdon

Nga grupi i futbollistëve që përgatiten në Nausa janë larguar të tjerë futbollistë, të cilët nuk kanë fituar besimin e stafit teknik. Deri në përfundim të qëndrimit atje do të ketë të tjerë që do të largohen nga fakti se vetëm 25 futbollistë do të jenë pjesë e listës së federimit. Pavarësisht se nga zyrtarë të klubit emrat nuk bëhen të ditur, mësohet se Dh.Puci, M.Biraçi, A.Bregasi dhe Ramadani janë lënë të lirë. Për ta do të jetë e vështirë të sistemohen në skuadra të tjera në këtë moment. Duhej që në seleksionimin e parë në Gjirokastër t’u jepej drejtimi i duhur, siç vepruan edhe me shumë të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *