17 vite më parë Andorra regjistroi fitoren e dytë në historinë e saj. Kombëtarja nga vendi me rreth 70 mijë banorë mundi Shqipërinë me rezultatin 2-0. Atë ndeshje morën pjesë 33 futbollistë, ndër to dhe dy trajnerët e kombëtarëve përkatëse, Koldo Alvarez dhe Ervin Bulku.
17 vite janë një përjetësi në futboll dhe shumë prej jush mund të mendoni se të gjithë futbollistët e asaj ndeshje kanë varur këpucët në gozhdë prej shumë vitesh. Nëse mendoni kështu, gaboheni.
Ildefons Lima është kapiteni i përfaqësueses së Andorrës. Edhe pse 39 vjeç, Lima vazhdon të mbetet një titullar i padiskutueshëm në kombëtare. Debutoi në vitin 1997, kur ishte vetëm 17 vjeç. Prej 22 vitesh nuk njeh pushim. Në rang klubesh ka ndërtuar një karrierë interesante, duke luajtur në Spanjë, Meksikë, Greqi, Itali e Zvicër.
Disa vite më parë fitoi famë pas një video nga “BBC”, ku zbuloi koleksionin prej 600 fanellash që kishte ndërruar në rang klubesh dhe kombëtaresh. Përgjatë 22 viteve karrierë është ndeshur me emra si Maldini, Terri, Kristiano Ronaldo, por ndër ta veçon vetëm një: Ronaldo Nazario de Lima, futbollistin brazilian të cilin e pati përballë në vitin 1998, kur ishte vetëm 18 vjeç. Në një intervistë për “MARCA”, Lima u shpreh se një ndër paraqitjet e tij më të mira ishte pikërisht ajo ndaj Brazilit në atë miqësore ku Andorra u mund 3 – 0 dhe Ronaldo ishte autori i një prej golave.