Borusia e Dortmundit njihet për gjetjen e talenteve, rritjen e tyre dhe shitjen më pas për një vlerë shumëfish më të shtrenjtë. Jusoufa Moukoko është “ylli” i vogël që po i befason të gjithë nga ditë në ditë. Ai luan në rolin e sulmuesit, është vetëm 14 vjeç dhe ka një raport fantastik me golin.
Lojtari i lindur në Kamerun, por që aktivizohet me përfaqësuesen U16 të Gjermanisë (ka shënuar 3 gola në katër ndeshje), është pjesë e ekipit U17 të Dortmundit që prej sezonit të kaluar.
Shifrat e tij janë impresionuese. Moukoko ka shënuar 40 gola në sezonin e kaluar, duke shpallur kampion verdhezinjtë e vegjël, ndërsa sivjet ndodhet në kuotën e 36 golave të shënuar në vetëm 21 ndeshje!
Vetëm në shtatë ndeshjet e fundit ka shënuar 12 gola, ndërsa golashënuesi i dytë në renditje është Emrehan Gedikli me 19 gola. Sulmuesi me origjinë turke i Leverkuzenit është 18 muaj më i madh se “bisha” e Dortmundit.
Jusoufa ka lindur me 20 nëtor të vitit 2004, premton shumë dhe pritet të kalojë sezonin e ardhshëm me ekipin e të rinjve të Dortmundit. Për të interesohet prej kohësh PSG, Barcelona dhe… Nike.
Ai nuk mund të firmosë një kontratë profesioniste para moshës 16-vjeçare, kompania e famshme amerikane i ka ofruar një kontratë milionere. Nike beson shumë te 14-vjeçari dhe e ka zgjedhur atë si imazhin e markës së saj.
Marrëveshja e ofruar zgjat deri në vitin 2029 dhe Moukoko do të përfitojë në total plot 10 milionë euro. Në kontratë ka dhe disa bonuse, si ajo e debutimit në skuadrën e parë dhe në kombëtare. Dortmundi fërkon duart për talentin e madh që zotëron, ndërsa sulmuesi pritet të bëhet shumë shpejt më i pasuri i moshës së tij.