Derbi i Milanos po ofron dhe atmosfera në kampet e të dyja ekipeve ka prekur majat. Gabimet në këtë ndeshje nuk tolerohen dhe të gjithë duan të festojnë e të lumturojnë tifozët respektivë. Paolo Maldini është një legjendë e këtij sporti, ndërsa ish-kapiteni i famshëm i Milanit do të shijojë derbin e parë si zyrtar.
Në fushën e blertë ai është rekordmeni absolut me 56 derbe të zhvilluara. Gjithçka nisi nga 1 dhjetori i vitit 1985, kur Paolo luajti derbin e parë si futbollist kundër Interit. Ndeshja mbaroi në barazim 2-2, ndërsa Maldini nuk u ndal, duke luajtur dhe 24 vite të tjera, gjithmonë me të njëjtën bluzë mbi supe.
Duke qëndruar në të tashmen, Maldini ka zhvilluar, jo vetëm më shumë derbe se çdo lojtar tjetër, por ai numëron më shumë derbi se i gjithë formacioni i Gatuzos. Të gjithë lojtarët bashkë numërojnë 39 derbe. Nëse Abate do të aktivizohet në vendin e Kalabrias, numri shkon në 50, por përsëri rekordi i Maldinit nuk thyhet dot.