Një derbi që në vegjëli, Doka-Bardhi sfida më vete

Tirana dhe Partizani përgatiten për derbin e kryeqytetit, që do të zhvillohet ditën e premte. Atmosfera në ekipe është shumë e mirë dhe të gjithë duan të fitojnë ndeshjen e sezonit. Bardheblutë kërkojnë fitoren, që mungon prej katër vjetësh, ndërsa të kuqtë kërkojnë të vazhdojnë me ecurinë pozitive të viteve të fundit, ku kanë dominuar në këtë përballje.

Një sfidë e veçantë do të jetë dhe për Albi Dokën dhe Jurgen Bardhin. I pari luan në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe mbushi 21 vjeç në qershor, ndërsa i dyti aktivizohet në repartin ofensiv dhe do i mbushë 21 vjeç në nëntor. Janë përballur shumë herë mes tyre, luajnë bashkë në Kombëtaren U21 dhe janë miq të mirë.

Të premten do të vihen kundër njëri tjetrit, me synimin për të fituar dhe dhuruar tifozerive respektive emocione të mëdha. Ndjesia e derbit është e papërkrueshme, por Doka dhe Bardhi shpjegojnë  për “Supersport” emocionet e ndeshjes dhe janë gati për të dhënë gjithçka dhe për të triumfuar në këtë sfidë.

ALBI DOKA – “Që i vogël i kam luajtur të gjithë derbit. Kemi dalë të humbur dhe të fituar. Kam qenë kapiten aty, kurse tani kam kaluar tek ekipi i madh. Është një ndjesi e veçantë normalisht, pasi të gjithë djemtë, të cilët janë te moshat, duan të luajnë një ditë tek ekipi i parë. Jemi shumë të motivuar dhe shpresoj ta fitojmë këtë derbi.”

“Vitin e fundit që kemi qenë te moshat, zakonisht, e kemi fituar ne derbin, por edhe kemi humbur. Ka qenë një ndjesi e veçante. Me ekipin e parë nuk e kam provuar shijen e fitores, por besoj se do e provoj këtë të premte dhe jam shumë i sigurt për këtë gjë.”

“Bardhi është lojtar shumë i mirë, e kam shok edhe jashtë fushe, shok në kombëtare. Se kush fiton ia lëmë fushës. Fitoftë më i miri.”

JURGEN BARDHI – “Derbi… Vetë fjala derbi të jep një emocion të veçantë. Edhe te të rinjtë ndodh kështu, por tek ekipi i parë ka ndryshim të madh. Kjo sepse ndikojnë edhe tifozët, ambienti, mediat dhe gjithçka tjetër. Ndërsa te të rinjtë, thuaje derbi dhe duhet ta fitoje. E ndjeje si ndeshje.”

“Vetë njerëzit e mendojnë si një festë të këtij qyteti. Xhaxhai im do të vijë nga Anglia që ta shohë këtë ndeshje.”

“Me Dokën kam një miqësi të veçantë sepse kemi qenë së bashku me kombëtaren shumë herë, jemi përballur shpesh me ekipet, sidomos me Tiranën. Kemi pasur ‘ngacmime’… më shumë kam dal unë fitimtar dhe besoj se edhe këtë ndeshje do ia dal me shpresën e Zotit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *