Skuadra e Mançester Sitit ka qenë një ndër më të mirat në botë në 10 vitet e fundit, me lojtarë të shkëlqyer dhe me trajnerë nga më të mirët në Europë. Një ndër lojtarët më të dashur të “Qytetarëve” është David Silva. Mesfushori spanjoll u transferua te Siti në verën e vitit 2010 për 26 milionë sterlina nga skuadra e Valencias.
Sezonin e shkuar, Silva ishte lojtari kyç për Guardiolën në fitimin e tre trofeve në ishullin britanik. Pas përfundimit të sezonit, fantazistit spanjoll iu ofrua një kontratë rinovimi 2-vjeçare, por është refuzuar nga 33-vjeçari, i cili shpjegoi:
“10 vite janë mjaftueshëm. Më është ofruar një rinovim dy vjeçar, por zgjodha të rinovoj edhe për një vit tjetër. Një dekade te Mançester Siti, është një arritje e madhe. Nuk do të qëndroj pas sezonit të ardhshëm, pasi kjo skuadër fantastike meriton që unë të jap maksimumin, gjë që nuk besoj se do t’a bëj në moshën 35-vjeçare”, përfundoi Silva.