Bundesliga nis sot, me Bajern Mynih-Bajern Leverkuzen dhe të gjithë janë dakord që Bajerni mbetet favoriti i madh për të fituar titullin kampion.
Pas tij, Dortmundi është ekipi më i kompletuar, ndërsa pritet me kuriozitet ç’do të bëjë Lajpcigu, pas sezonin fenomenal si debutues.
Më poshtë, asgjë e veçantë: Leverkuzeni, Hofenhajmi, Shalke, Gladbahu e të tjerët nuk duken të aftë të bëjnë gjëra të mëdha dhe nëse kapin vendin e katërt e kanë festë.
Ndërkaq, janë publikuar shifrat e abonimeve vjetore dhe Borusia e Dortmundit mbetet mbreti, me 55.000 abonime, ashtu si sezonin e shkuar, në një stadium me mbi 81.000 vende.
Ka humbur 500 abonime, por Shalke mbetet shumë lart, me 43.435 abonime, në një stadium me thuajse 62 mijë vende.
Vetëm i treti Bajerni, me 38.000 abonime në një stadium me 75 mijë vende, por kjo shpjegohet thjesht: klubi bavarez e ka kuotë fikse dhe nuk shet më shumë abonime, edhe pse kërkesa ka plot.
Entuziazëm i paparë në Shtutgart, me 32.000 të abonuar, 4.000 më shumë se vitin e shkuar në Bundesligën 2.
Nuk qeshin të gjithë: Hamburgu ka vetëm 23.5000 të abonuar, 2.500 më pak se vjet, shenjë se tifozët janë të dëshpëruar, ashtu si ata të Volfsburgut, Maincit e Augsburgut.
I fundit në renditje? Frajburgu i Amir Abrashit, me 15.000 abonime, por vetëm për një arsye: stadiumi ka vtëm 24.000 vende, më i vogli në Bundesligë, ndaj realisht Frajburgu është shumë mirë, me 63% të stadiumit të shitur. E kundërta ndodh me Hertën e Berlinit: 20.000 abonime në një stadium me 74.400 vende nuk është një motiv krenarie, por abonimet në Berlin vazhdojnë.