Gjilani ka vendosur ta ndërtojë ekipin nga fillimi, pasi një pjesë e mirë e titullarëve janë larguar pas përfundimit të kontratave. Ditën e sotme klubi që garon në IPKO Superliga e Kosovës ka dalë me një njoftim ku bën me dije se nuk do të nënshkruajë kontrata të reja me disa prej lojtarëve që më parë kanë luajtur në Superiore.
Bien në sy Ansi Nika, Endrien Magani dhe Vilfor Hysa, por edhe ish kapiteni i Kastriotit., Vilson Lila, ish-lojtari i Kukësit Xheferson, por edhe Semir Haxhibuliç që në të shkuarën ka qenë pjesë e Apolonisë. Drejtuesit po punojnë për të bërë përforcime dhe dytë janë hedhur edhe nga Shqipëria për përforcime.
NJOFTIMI I GJILANIT – “Pas përfundimit të edicionit, skuadra e Gjilanit ka vendosur ta ndërpres bashkëpunimin me futbollistët të cilët bartën fanellën e klubit tonë prej edicioneve të mëhershme dhe ai i kaluar. Bëhet fjalë për Fisnik Papuqin, i cili mbrojti ngjyrat e klubit tonë prej dy sezoneve, të cilin e falënderojmë për kontributin dhe korrektësinë e treguar gjatë kësaj periudhe kohore, të cilën sa ishte pjesë e klubit tonë.
Sport Club Gjilani, ju informon se ka mbyllur marrëveshjet edhe me futbollistët të cilët ishin transferuar vitin e kaluar në ekipin tonë. Jefferson Lopes, Wilber Perez, Ansi Nika, Endrien Magani, Vilson Lila, Kledi Koci, Vilfor Hysa, Shpend Asani dhe Semir Hadzibulic, janë futbollistët të cilët nuk do të vazhdojnë paraqitjet e tyre në klubin e Gjilanit. Klubi i falënderon futbollistët e lartpërmendur për kontributin e tyre gjatë këtij udhëtimi të edicionit që e lamë pas dhe ju uron sukses në vazhdimin e karrierës së tyre.
Gjithashtu bordi drejtues i skuadrës është në bisedime me pjesën tjetër të futbollistëve nga edicionet e kaluara, për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për të ardhmen. Vlen të theksohet se drejtuesit e klubit po vazhdojnë negociatat edhe me futbollistë të rinj, ku po punohet për afrime të reja në skuadrën e Gjilanit dhe shumë shpejt pritet të ndodhin edhe zyrtarizime të tjera në kampin kuq e bardh”, shkruhet në njoftimin e klubit të kuq.