Kastrioti mori fitoren e tretë për këtë edicion, por që ishte e mjaftueshme për të lënë vendin e fundit të klasifikimit. Krutanët mundën Flamurtarin si me gola ashtu dhe me lojë, me kuqezinjtë që nuk e goditën në asnjë moment kuadratin e portës së Kukës.
Dora e Stavri Nicës po duket, pasi në ndeshjet e shkuar, edhe pse rezultatet kanë munguar, ekipi ka treguar karakter dhe dëshirë. Trajneri me eksperiencë ishte zgjedhja e duhur e drejtuesve, të cilët tanimë kanë nisur që të besojnë se mund të qëndrojnë edhe edicionin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar.
Faza e parë ishte vërtetë dëshpëruese për Kastriotin, që konsiderohej si një prej skuadrave që e ka marrë rrugën për një kategori më poshtë, por “ringjallja” i ka ndërlikuar shumë llogaritë për mbijetesës. Luftëtari, Tirana, Kastrioti dhe Kamza janë shumë pranë njëra-tjetrës në klasifikim dhe sa i përket nivelit nuk ka shumë diferenca, çka premton një “betejë” të ashpër në fundin e tabelës.