Nica: Faleminderit Delvinë, tani s’e lëshojmë kreun!

Devolli, duke pasur parasysh kalendarin e Shkumbinit, kishte shumë besim se do ta merrte kryesimin e kampionatit. Kështu ndodhi, pasi peqinaset barazuan në transfertë me Delvinën. Në Bilisht nisi festa, ndërkohë që trajneri Starvi Nica ka folur për “SportEkspres.com”.

“Nëpërmjet kapitenit tonë Mateo Pere, ne e deklaruam ditën e shtunë se po të luhet pastër Shkumbini mund të thyhej në Delvinë. Kështu ndodhi në këtë barazim, ku Shkumbini tregoi forcën e tij të vërtetë. Dua të falënderoj futbollistët e drejtuesit e Delvinës për karakterin e tyre në këtë sfidë, jo se barazuan dhe ne marrim kreun e grupit B, por sepse ata luajtën me dinjitet”, u shpreh Nica.

Durrsaku gjithsesi nuk e konsideron të mbyllur garën: “Na presin tre beteja deri në fund të kampionatit. Presim Memaliajn, shkojmë në Ersekë dhe në fund përballemi Tepelenën në fushën tonë. Përqendrimi ynë do të jetë shumë i madh në këto ndeshje. Sikundër kemi ardhur në javën e 23-të në krye, ashtu edhe do ta mbyllim. Vendin e parë nuk e lëshojmë, po mendojmë edhe për finalen me Tërbunin”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *