Nga miqësorja te merkato, analiza e Orges Shehit

0

Skënderbeu u ndal në barazim pa gola në miqësoren me Renovën, që ishte një test serioz për të parë se në çfarë gjendje janë korçarët. Pavarësisht se nuk fituan, në Korçë nuk shqetësohen. Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi ka folur dhe ka theksuar se për të nuk kishte rëndësi rezultati.

“Jemi në një fazë përgatitore, por sigurisht që futbolli luhet për rezultat. Duke parë se jemi edhe në fazë seleksionimi për të parë disa lojtarë të rinj, për mua nuk ishte i rëndësishëm rezultati”, është shprehur fillimisht tekniku për “Korça Sot”. Skënderbeu i këtij sezoni nuk do të ketë shumë lojtarë që kanë mbajtur peshën kryesore në ekip, duke nisur nga Shehi.

“Sa për Shehin harrojeni, se e ka lënë futbollin. Edhe lojtarët e vjetër kanë peshë, kanë dalë shumë vite kampionë, plus edhe të tjerët që nuk janë, por edhe ata kanë peshën e vet. Besoj se me rikthimin e tyre skuadra do të marrë atë ‘fytyrën’ që jemi mësuar ta shikojmë”, shtoi durrsaku i pankinës korçare.

SULMI – “Soue ishte golashënuesi i Skënderbeut, një lojtar me shumë vlera dhe që e tregoi se kush ishte. Sigurisht që mungesa e tij nuk është kollaj që të zëvendësohet. Do të punojmë me këta sulmues që kemi që të arrijmë atje ku kërkojmë edhe ne. Nëse sulmuesit që kemi nuk i përmbushin kërkesat tona, mund të futemi edhe në merkato për të gjetur një golashënues”.

RRITJA E EKIPIT – “Kemi vetëm 10 ditë që përgatitemi. Erdhëm në këtë fazë përgatitore pas plot 40 ditësh pushim, që është një kohë relativisht e gjatë për një futbollist. Dita-ditës, edhe me plotësimin e lojtarëve, besoj që Skënderbeu do të marrë pamjen që pret të marrë. Duke u kthyer lojtarët, skuadra do të marrë fizionominë e vet. Ne jemi ekip që kemi vetëm objektiva madhorë. Do ta shikoni shumë shpejt edhe atë skuadër të madhe”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.