Rasti i çuditshëm i Tomas Mylerit: një lojtar shumë i rëndësishëm prej vitesh për Bajernin e Mynihut, i konsideruar jashtë tregut, me Bajernin që refuzoi bujshëm rreth 100 milionë euro nga Mançester Junajtid pak kohë më parë. Sezoni i fundit? Asgjë impresionuese, një Myler normal, 5 gola në 29 ndeshje kampionati, si kurrë në karrierë, që kur ka nisur të luajë titullar te Bajerni, në vitin 2009.
Si i bëhet? Bajerni ndoshta e ka kuptuar se duhet ta shesë sa më shpejt, për të përfituar një shifër “të majme” sa nuk është vonë. Kështu shkruan Sport Bild, që zakonisht është mjaft i informuar kur bëhet fjalë për thashetheme merkatoje.
Edhe afrimi i Hames Rodrigezit duket një sinjal negativ për Mylerin, që tani e tutje mund të ketë gjithnjë e më pak hapësirë.
Në moshën 27-vjeçare dhe me kontratë deri në vitin 2021, Myler duket i paprekshëm, por në Bavari presin ofertat dhe nëse ndokush bën çmenduri dhe ofron mbi 70 milionë euro, zor se Bajerni do të refuzojë. Arsenal, Çelsi e Liverpul duken të gatshëm, por edhe Juventusi nuk përjashtohet nga gara.