Mançester Siti është një nga skuadrat më të pasura në botë, e cila asnjëherë nuk tërhiqet kur bëhet fjalë për transferime të shtrenjta. Shpenzimet e “Qytetarëve” kanë qenë faraonike vitet e fundit, por tashmë, duket se kanë filluar të shohin dhe nga Akademia.
Pas Fil Foden dhe Arijanet Muriç, Siti ka plane edhe për futbollistin Zinçenko. Para fillimit të sezonit të shkuar, Guardiola tentoi ta shesë 22-vjeçarin te skuadra e Real Betis, por ky i fundit refuzoi, duke qëndruar në Mançester.
Edhe pse shihej si i padëshiruar nga Guardiola, tekniku spanjoll mbeti pa mbrojtës të majtë dhe u detyrua t’i besojë Zinçenkos. Mbrojtësi e shfrytëzoi mjaft mirë mundësinë e dhënë dhe bëri paraqitje të shkëlqyera, duke bërë që Guardiola të ndërrojë mendje. Tashmë, për të është vendosur një kontratë e re në tavolinë dhe në rast se Zinçenko rinovon, do të qëndrojë te “Qytetarët” deri në vitin 2024.