Sot në orën 13:00 hidhet në Monako shorti për fazën e grupeve të Europa Leagues
Nga Arsenali, më pas Lacio, Milani e deri te Nisa e Balotelit, duke mos harruar derbet me futbollistët shqiptarë, këta janë kundërshtarët e mundshëm të Skënderbeut. UEFA menjëherë mbrëmë ka zbuluar katër vazot e shortit të Europa Leagues, që do të hidhet sot në Monako. Si zakonisht, ekipi ynë Skënderbeu është pozicionuar në vazon e katërt, ose në grupin e skuadrave më të dobëta në këtë kompeticion. Korçarët shmangin kështu përballjet me ekipe si Apolloni i Qipros, Bashakshehirin e Cikalleshit, Crvena Zvezdën serbe, apo AEK Athinën, FC Luganon, Vardarin e Shkupit. Gjithsesi, vazot e tjera janë “ferr” më vete, me ekipe të mëdha, që mund të ndëshkojnë në çdo kohë çdo skuadër që i del përpara.
Të mëdhatë – Në vazon e parë, Skënderbeu do të peshkojë një nga më të mëdhatë e Europës, me Arsenalin, Lionin, dy spanjollet Vilarreal e Atletik Bilbao, pa harruar italianet Lacio e AC Milani si kundërshtarë të mundshëm. Mbyllin grupin Braga, Salsburgu e Kopenhageni. Sido që të shkojë, kundërshtari nga vazoja e parë është i papërmbajtshëm, me ndonjë përjashtim të vogël. Idealja do të ishte një shortim tjetër i Milanit kundër një shqiptareje siç është Skënderbeu, pas përballjes me Shkëndijën e Tetovës
Emrat e njohur – Çudi më vete është grupi i dytë i kundërshtarëve të mundshëm të Skënderbeut, me skuadra që janë të njohura e kanë emra të mëdhenj në gjirin e tyre, por edhe të forta në të tilla kompeticione. Everton, Jang Bojs, Marsejë, Real Sociedad, Austria e Vjenës, Herta e Berlinit, Nisa nuk janë ekipe dosido. Baloteli, Shnajder apo edhe Runi me Evertonin e tij nuk janë më pak të frikshëm se ekipet e vazos së parë. Për të mos folur skuadrat e tjera. Gjithsesi edhe në këtë vazo ka kundërshtarë që mund të rezultojnë të kalueshëm në shtëpi. Në të njëjtin standard është edhe vazoja e tretë, që përbëhet nga skuadra të bezdisshme që mund të të mundin, por edhe mund t’i kalosh. Nëse nuk përballet me Partizanin e Beogradit, Atalantën, Hofenhejmin, Këlnin, Rozenborgun apo ndonjë tjetër, për korçarët çdo kundërshtar tjetër do të ishte short luksi. Ekipi shqiptar mund të përballet me Makabin e Tel-Avivit apo Sherifin e Tiraspolit, dy skuadra që e kanë bërë nganjë xhiro në Shqipëri këtë verë gjatë kompeticioneve evropiane.
Shqiptarët – Lacio, Atalanta apo Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha mund të jenë dy nga kundërshtarët e mundshëm të korçarëve në Europë. Shorti teknikisht mund ta vërë përballë skuadrën shqiptare me ekipet italiane ku aktivizohen dy portierët e kombëtares, që nëse vendos shorti do të duhet të udhëtojnë drejt Elbasanit për ndeshjet e Europës. Gjithsesi, të gjitha këto janë hamendësime. Vetëm sot paradite në Monako ku do të hidhet shorti, korçarët do të zbulojnë kundërshtarët në Europa Leagues.
Kundërshtarët e shortit
Vazo 1: Arsenal, Zenit St. Petersburg, Lion, Dinamo Kiev, Vilarreal, Atletik Bilbao, Lacio, AC Milan, Viktoria Plzen, FC Salzburg, FC Kopenhagen, Braga
Vazo 2: Steaua Bukuresht, Ludogorets Razgrad, BATE Borisov, Everton, Jang Bojs, Marsejë, Real Sociedad, Makabi Tel-Aviv, Lokomotiv Moskë, Austria e Vjenës, Herta e Berlinit, Nisa
Vazo 3: Astana, Partizani i Beogradit, Hofenhejmi, Këln, NK Rijeka, Vitoria Guimaresh, Atalanta, Zulte Uaregem, Zoria Luhansk, Rozenborg, Sherif Tiraspol, Hapoel Ber-Sheva
Vazo 4: Apollon Limasol, Bashakshehir, Koniaspor, Viteshe Arnheim, Sllavia Pragë, Crvena Zvezda, Skënderbeu, FC Zlin, AEK Athinë, FC Lugano, Vardar Shkup, Ostersunds
Datat e ndeshjeve të UEFA Europa Leagues
Ndeshja 1: 14 shtator
Ndeshja 2: 28 shtator
Ndeshja 3: 19 tetor
Ndeshja 4: 2 nëntor
Ndeshja 5: 23 nëntor
Ndeshja 6: 7 dhjetor