Nexhipi sfidon Partizanin “e tij”: Fitojmë ne, ndeshje “e vdekur” pa tifozët!

Ndeshja e ditës së premte Partizani-Kukësi, nisur nga historia dhe aktualiteti i këtyre skuadrave, mendohet si kryendeshja e javës së 17-të të Kategorisë Superiore. Partizani ndodhet në vendin e parë me 5 pikë më shumë se Kukësi që ndan vendin e dytë me Skënderbeun me pikë të barabarta, 30, por korçarët kanë golavarazhin më të mirë se kuksianët.

Nga ballafaqimi i parë mes tyre më 2 tetor 2014 e deri në ndeshjen e fundit më 8 tetor 2018, këto skuadra janë ndeshur 20 herë mes tyre, dhe Partizani është më superior me 10 fitore, 6 barazime e 4 humbje, me golavarazhin 16:14. Por, duke qenë se në 16 javët e luajtura Kukësi ka 5 fitore në transfertë dhe Partizani 7 fitore në fushën e tij, sfida këtë herë bëhet edhe më e “nxehtë”.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Vite më parë luajtët me fanellën e Partizanit, sot Drejtor Sportiv i Kukësit, për cilën skuadër do bëjë tifo Nexhipi në sfidën Partizani-Kukësi?
-(Qesh) Unë nuk jam tifoz në këtë rast, por profesionist. Vite më parë luajta me fanellën e madhe të Partizanit, madje edhe si kapiten, dhe  sot ndjehem i respektuar në karrierën time. Por tashmë jam drejtor te Kukësi, dhe natyrisht që pa tifozllëk dua që këtë sfidë ta fitojë kjo skuadër.

Në periudhën kur ju ishit futbollist me Partizanin, keni luajtur ndeshje kundër Kukësit?
-Natyrisht që jemi ndeshur edhe me Kukësin, atëherë skuadra kuksiane bënte debutim shumë të mirë në Kategorinë Superiore. Në kujtesën time, atëherë në atë sezon (2014-2015), më shumë ndeshje ka fituar Partizani ndaj Kukësit, ndërsa sot situata është ndryshe mes këtyre dy skuadrave.

Në 20 përballjet mes tyre, Partizani është më superior me 10 fitore, 6 barazime e 4 humbje, do të ndikojë ky bilanc në përballjen e ditës së premte?
-Kjo është një ndeshje e madhe, sepse ndeshen mes tyre dy skuadra nga më të mëdhatë në Kategorinë Superiore. Por nuk besoj se historia do të ketë ndikim për lojtarët në fushën e lojës. Ne nuk kemi problem nëse luajmë në fushën tonë apo në transfertë, ndaj do luajmë për fitore.

Jemi 48 orë para ndeshjes, cila është situata te skuadra e Kukësit?
-Psikologjikisht skuadra është e motivuar që nga kjo përballje të dalë me tri pikët. Me të gjithë titullarët që mendohen të jenë pjesë e kësaj sfide nuk ka probleme, dhe mungesat e Musollit e të Shafik të dëmtuar, besoj se nuk do të ndikojnë në synimin tonë për fitore.

Nisur nga kjo situatë, Kukësi ndjehet plotësisht besimplotë që këtë ndeshje ta kalojë pozitivisht?
-Në çdo ndeshje futbolli, dhe jo vetëm specifikisht te sfida jonë me Partizanin, në lojë janë tre rezultatet. Ne do të futemi me synimin që të marrim tri pikët, ky do të jetë motivi kryesor gjatë 90 minutave lojë. Ndaj Kukësi ndjehet plotësisht besimplotë që këtë ndeshje ta kalojë pozitivisht.

Por kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, për ju do të ketë ndikim në lojë e në rezultat?
-Një sfidë e tillë kur luhet pa tifozë, duket si e “vdekur”. Ndryshe janë emocionet kur ndeshja luhet me tifozë, dhe aq më shumë që këta Partizani i ka si lojtarin e 12-të. Por nëse do të mungojë emocioni i tifozerisë, nuk mendoj se do të humbasin emocionet në fushën e lojës.

Duke qenë se faza e dytë mbyllet më 22 dhjetor, ju ku e mendoni Kukësin në tabelën e renditjes?
-Duke menduar vetëm fitoren në ndeshjen e ditës së premte me Partizanin, besoj se Kukësi deri në fundin e fazës së dytë do të renditet në vendin e dytë, por me diferencë më të paktë pikësh ndaj Partizanit të vendit të parë. Në dy fazat e tjera, lufta jonë do të jetë vetëm vendi i parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online