PSG mposhti 3-1 Olimpikun e Marsejës në klasiken e futbollit francez. Kilian Mbape dhe Di Maria me anë të një dygolëshi i dhuruan tre pikët ekipit të tyre, ndërsa Germain barazoi përkohësisht rezultatin.
Ndeshja u zhbllokua vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë nga i zakonshmi Mbape, i cili festoi në mënyrë të çuditshme, më saktë nuk festoi fare. Gjatë këtyre ditëve u përhap lajmi që klubi francez kishte gjobitur sulmuesin me 180 mijë euro.
Shkaku? Kilian është vonuar në një mbledhje teknike të trajnerit në tetorin e kaluar. Paratë do të mbahen nga bonuset e ndryshme dhe do t’i dhurohen fondacionit bamirës të klubit.
Zgjedhja për të (mos)festuar në atë mënyrë ka shqetësuar tifozët e PSG. Ka nga ata të cilët janë të bindur që ai do të largohet në fund të sezonit, ndërsa të tjerë shprehen se nuk e kanë parë kurrë më të acaruar se në këto momente.
Për t’i dhënë të drejtë fjalëve ka menduar dhe një familjar i 20-vjeçarit. “Mbape do të luajë me Realin e Madridit”, ka folur një nga të afërmit e lojtarit për “Journal du Dimanche”.
Një gjë e tillë është pritur mirë në kryeqytetin spanjoll. Mbape është ëndrra e madhe e Florentino Perez dhe askush më mirë se francezi nuk do ta zëvendësonte Kristiano Ronaldon në majën e sulmit.
Reali ishte në garë me PSG për shërbimet e Mbapese, në momentin që ky aktivizohej me Monakon. Lojtari tundohet nga ideja për të luajtur me 13-të herë kampionët e Europës, ndërsa zbulohet të ketë thënë në momentin e transferimit: “Nëse shkoj te Reali tani që jam 18 vjeç, çfarë do të bëj kur të jem 23?!”