Verën e vitit të kaluar, më saktë në muajin gusht Nejmar Zhunior u bë lojtari më i shtrenjtë i historisë së futbollit. Plot 222 milionë euro të shpenzuara nga francezët e PSG, për Barcelonën dhe një kontratë faraonike për brazilianin, duke e bërë kështu një nga futbollistët më të paguar të globit. Nejmar la Barcelonën pas katër vitesh, kur triumfoi dhe një herë në Champions, ku ai ishte protagonist me një gol të shënuar.
Mbrëmjen e kaluar Nejmar ishte në fushë për 90 minuta në fitoren e miqësores ndaj Argjeninës dhe pas ndeshjes braziliani duket se ka dhënë sinjale për një rikthim të mundshëm në Katalunjë. Sipas asaj që ka raportuar prestigjiozja spanjolle “Mundo Deportivo”, Nejmar ka thënë pas sfidës se rikthimi te Barça nuk është diçka e pamundur.
Braziliani ka shfaqur shenja pakënaqësie që në fundin e sezonit të kaluar për eksperiencën e tij në Paris dhe duket se tundohet nga ideja për t’u rikthyer përsëri përkrah Leo Mesit, aq më tepër që tashmë do të gjejë dhe shokun e tij në kombëtare, Filipe Kutinjon. Në Paris gjërat nuk duken siç duhet për Nejmar, teksa Kilian Mbape po kthehet në një idhull në kryeqytetin francez, sidomos pas fitimit të Kupës së Botës. Nejmar duket nostalgjik për kohën e tij te Barça dhe ndoshta fundi i sezonit mund të sjellë vërtet një rikthim të brazilian përsëri me fanellën katalanase.