Sot për sot, Nejmar praktikisht është futbollisti më i kushtueshëm në botë. Duke marrë parasysh moshën e tij të re, sulmuesi i Barcelonës vlen më shumë se Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, si një investim i vlefshëm për shumë vite.
Vlera e tij aktuale nuk llogaritet me saktësi, sepse çdo ditë përmenden oferta nga më të ndryshmet, por shifra më e besueshme, konkrete dhe e bazuar në ligj është ajo që gjendet në kontratën e tij. Si çdo lojtar në La Liga, braziliani ka një klauzolë largimi, e cila deri tani ka qenë 200 milionë euro, por sot ka ndryshuar.
Siç dihet, Nejmar është i lidhur edhe për pesë vite të tjera me Barcelonën dhe parashikohet se nga 1 korriku 2017 deri më 1 korrik 2018 klauzola e tij e largimit të jetë plot 222 milionë euro! Po, e lexuat mirë: 22 milionë më shumë. Por prisni, se ka prapë! Pas 12 muajsh, kjo shifër do të bëhet 250 milionë euro, aq sa e ka pasur Mesi para se të firmoste kontratën e fundit.
Rrjedhimisht, mund të themi se Nejmar është i papërballueshëm, sepse klubi që do shërbimet e tij duhet të përgatitet për t’i siguruar edhe një pagë prej më shumë se 30 milionë eurosh në vit (me të drejta të paprekshme të imazhit).