Kukësi bën kërkesë zyrtare: Shtyrje e kampionatit dhe 6 lojtarë të huaj

Kampionët do të depozitojnë një kërkesë në Federatë, ku propozojnë që kampionati të shtyhet për në shtator dhe njëkohësisht të rritet numri i të huajve në fushë nga katër në gjashtë

Jurgen Zela

Ndeshjet në Champions League nuk e pengojnë aspak Kukësin që të mendojë dhe për sezonin e ardhshëm. Arritja e titullit kampion ishte suksesi më i madh i klubit dhe natyrshëm do të kërkojë që ta mbrojë kurorën dhe në sezonin e ardhshëm, ku pretendimet duket se nuk ndryshojnë. Aventura europiane ende nuk ka nisur dhe synimet janë që të shkohet sa më larg, megjithatë, siç bëhet e ditur për “Sport Ekspres”, Kukësi ka dy kërkesa për Federatën Shqiptare të Futbollit.

SHTYRJA E KAMPIONATIT
Është planifikuar që kampionati i 79-të i futbollit shqiptar të nisë në pjesën e dytë të muajit gusht, megjithatë ende nuk ka një datë zyrtare. Mësohet se Kukësi do të paraqesë në FSHF kërkesën që kampionati të shtyhet dhe të nisë në fillimin e shtatorit. Deri diku duket e çuditshme, pasi arsyet e kësaj kërkese janë të paqarta. Siç bëhet e ditur, një nga arsyet lidhet me temperaturat e larta dhe përvëluese, që kanë kaluar që tani vendin tonë. Megjithatë Kukësi mund të ketë një tjetër “hall”. Përgatitjet për sezonin kanë nisur që në mesin e qershorit dhe së paku deri pranë fundit të muaj korrik Kukësi do të jetë i angazhuar në arenën ndërkombëtare dhe në një periudhë një-mujore, mund të mos u mjaftojë kuksianëve për t’u përgatitur për fillimin e kampionatit. Njëkohësisht, në këtë mënyrë do të rritej jashtëzakonisht ngarkesa fizike dhe mund të krijohen vështirësi në javët e para. Nuk përjashtohet mundësia që FSHF të miratojë këtë kërkesë, pasi çdo fillimsezoni jemi mësuar me të tilla skenare, ku data e fillimit të kampionatit ndryshon disa herë, për arsye nga më të ndryshmet. E mira do të ishte që të mendohej që në fillim diçka e tillë, duke e shqyrtuar mirë kërkesën e kampionëve, para se të vendoset.
TË HUAJT
Që alternativat në vendin tonë janë shumë të pakta dhe gjithnjë po vijnë duke u ulur, nuk përbën më një lajm të ri. Pjesa më e madhe e skuadrave të superiores e kanë përqendruar merkaton në tregun e huaj dhe përjashtim këtu nuk bën as Kukësi. Aktualisht kampionët në organikën e tyre kanë pesë të huaj, me Serran, Nasar, Kale, Karioka dhe Pejiç. Në fokus janë dhe disa lojtarë të tjerë të huaj, të cilët vazhdojnë bisedimet me klubin e Kukësit dhe nuk përjashtohet mundësia që të “zbarkojnë” në verilindje. Nëse në kupat e Europës numri i të huajve që mund të aktivizohen është i pa limituar, në Superiore lejohen vetëm katër. Kukësi ashtu si dhe Teuta do të kërkojë nga organi më i lartë futbollistik në vend që numri të shkojë së paku në gjashtë. Pjesa më e madhe e klubeve pritet që të bashkohen me nismën e Teutës dhe Kukësit, të cilat tashmë zyrtarisht e kanë shprehur vullnetin e tyre. Mbetet për t’u parë në mbledhjen e radhës së FSHF-së, kur dhe do të hidhet shorti i sezonit të ri, nëse do të merret parasysh kjo kërkesë.

Hipoteza/ Alternativat e FSHF-së
Nuk është hera e parë që klubet shprehin dëshirën e tyre që në fushën e lojës të kenë më shumë se katër lojtarë të huaj. Edhe pse deri më tani nuk ka ndodhur që FSHF të aprovojë rritjen e numrit të lojtarëve të huajve, tashmë duket se skuadrat po shkojnë drejt një konsensusi, pasi në dhjetor plot 8 skuadra shprehën hapur kërkesën për një ndryshim të tillë. Asokohe preteksti i FSHF-së ishte se nuk mund të ndryshonte rregullorja në mesin e sezonit,dhe tani duket se diçka e tillë nuk vlen. Hipotezat për ndryshim mund të jenë të shumta, por dy janë ata që duken më të favorshme nëse do të ketë një ndryshim.
VETËM 6 FEDERIME
Kukësi kërkon 6 të huaj në fushën e lojës, diçka e tillë mund të realizohet nga FSHF, por me kushtin që numri i lojtarëve të huaj që do të federohen të jetë po 6. Kushtëzimi i tillë bën që të mos lihet jashtë vëmendjes dhe tregu shqiptar, ashtu si dhe akademia, që mbetet prioritet në politikat e federatës.
5 TË HUAJ
Nga 4 në 5 dhe federime pa limit, mund të jetë një tjetër mundësi ndryshimi për lojtarët e huaj. Sigurisht, nëse politika për të mos “djegur” prodhimin e vendit rrezikohet, normalisht që klubet vetë nuk do të bëjnë shpenzime pa fund për të afruar lojtarë të huaj, në pamundësi aktivizimi.
Së paku këto mbeten pistat kryesore që mund të shqyrtohen për kërkesën e Kukësit dhe Teutës zyrtarisht deri më tani, por që sigurisht do të gjejnë dhe mbështetjen e pjesës më të madhe të skuadrave të tjera.
Problematika e vetme që mund të dalë është konsensusi i plotë i të gjitha skuadrave pjesëmarrëse, i cili nuk garantohet,të paktën për momentin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online