Çdo ditë një emër i ri dhe duket si një “Big Brother”, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, me sitet italiane që po na gjejnë trajner në mënyrë ekskluzive, pa e treguar fare burimin nga dalin informacione të tilla.
Siti më aktiv në gjetjen e pasardhësit të Xhani De Biazit në drejtimin e Shqipërisë është Tuttomercatoweb, që i fut një EKSKLUZIVE përpara dhe çdo 24 orë na servir nga një emër të ri, herë të panjohur e herë të çuditshëm, si ai i fundit.
Sot TMW shkruan se në planet e Shqipërisë qenka edhe Roberto Karlos, braziliani i famshëm si futbollist, por me një CV modeste si trajner, me aventura disa-mujore në 3 klube turke e indiane, si dhe rekordin në Katar, me vetëm pak javë në drejtim tek Al Arabi.
Javët e fundit Roberto Karlos është prezantuar si trajneri i ri i Sauth Melburnit, klub që shpreson të marrë licencën për t’u futur në divizionin e parë australian.
Tani gazetarët e Tuttomercatoweb i gjejnë ekip të ri Roberto Karlosit, i cili do të hidhte një hap gjigant në karrierë, nëse vërtet do të merrte drejtimin e Shqipërisë, edhe pse ka shumë pak gjasa që kjo të ndodhë.