Lysien Favre është konsideruar si arkitekti i suksesit të Borussia Dortmund deri në këtë pikë të sezonit. Pavarësisht eleminimit nga Kupa një natë më parë, duket se trajneri zvicerian e ka fituar prej kohësh zemrën e drejtuesve të verdhezinjve.
Drejtori, Hans-Joakim Vatzke ka folur pas ndeshjes ndaj Verderit dhe ka treguar se dëshiron t’i ofrojë një zgjatje të kontratës trajnerit aktual të ekipit. Në fjalët e tij për “Sport Bild”, Vatzke tha se puna e Favres është e dukshme dhe nuk ka nevojë për fjalë. Kontrata aktuale e trajnerit është e vlefshme deri në vitin 2020.
“Është logjike që së shpejti të flasim me të për një zgjatje të kontratës, sepse puna e tij është e dukshme. Bashkëpunimi është i shkëlqyeshëm, kështu që ne duam ta vazhdojmë atë. Zhvillimi i ekipit është dukshëm në nivele të larta. Kjo është para së gjithash merita e Lysien.”