Jemi në dhjetor dhe shumëkush ankohet për faktin sa shpejt përfundon dita. Diellin që perëndon përpara orës 16, apo faktin sa e gjatë është nata. Por, ky detaj ishte anashkaluar nga organizatorët e kampionatit, në Federatën Shqiptare të Futbollit. Të paktën deri në ndeshjen e së shtunës, ndërmjet Tiranës dhe Kastriotit.
Për shkak të mungesës së dritës, në “Selman Stërmasi” prozhektorët u ndezën pas një orë lojë. Aty zyrtarët e FSHF u kujtuan se për stadiumet pa impiant ndriçimi, ora 14:00 për nisjen e ndeshjeve është e papërshtatshme.
Për këtë arsye, federata vendosi të afrojë me 30 minuta ndeshjen ndërmjet Kamzës dhe Luftëtarit, që tashmë do të startojë në 13:30. Njoftimi u dha nga klubi i periferisë së kryeqytetit, më pak se 24 orë para zhvillimit të ndeshjes. E çuditshme, por jetojmë në Shqipëri.