Edison Ndreca po luan rregullisht te Kastrioti. Në verë la Besëlidhjen dhe iu bashkua Teutës, por me durrsakët nuk pati hapësira. Kalimi te krutanët, siç edhe thotë vetë lojtari i linjës së majtë, ka qenë zgjedhja e duhur për të. “Deri tani ka rezultuar zgjedhja e duhur. E kam thënë dhe më parë që kam gjetur një ambient dhe grup të mirë. Jam shumë i kënaqur për këtë zgjedhje”, shprehet mbrojtësi i majtë në një prononcim të dhënë për mediat.
Përballje e radhës në program është kundër Teutës, një sfidë jo si gjithë të tjerat: “Do të jetë ndeshje e veçantë për mua. Kam kaluar mirë për gjashtë muaj te Teuta. Shpresoj që tani të marrim maksimumin. Luaj për ekipin e Kastriotit dhe shpresoj të marrim tre pikët”, thotë mes të tjerash Ndreca, i cili në dy takimet e fazës së parë i është gëzuar fitoreve pasi ka qenë pjesë e Teutës.
“E vërtetë që në dy fazat e para Kastrioti i ka humbur të dy përballjet me Teutën. Tani gjërat kanë ndryshuar, Kastrioti nuk është më ai i dy fazave të para. Skuadra është transformuar dhe kemi arritur të marrim në fazën e tretë rezultate mjaft të mira. Shpresoj të vazhdojmë me të njëjtin ritëm”, shton mbrojtësi, i cili është formuar si futbollist te Laçi.
MOMENTI I MIRË – “Po kalojmë një moment të mirë dhe shpresojmë që edhe në këtë ndeshje të bëjmë mirë. Ndërprerja e kampionatit është e njëjtë për çdo skuadër, ndaj nuk e shoh si shqetësim. Madje na ka ndihmuar në aspektin e dëmtimeve, si dhe na ka dhënë mundësinë për ta përgatitur më mirë këtë ndeshje”.
SFIDA DIREKTE ME LUFTËTARIN – “Është ende shpejt për të bërë llogaritë deri te përballja me Luftëtarin. Kemi dhe dy ndeshje të rëndësishme përpara. Shpresoj që të marrim pikët maksimale në dy ndeshjet e mbetura të fazës së tretë dhe kur të arrijmë te përballja me Luftëtarin, distanca të jetë më e vogël”.