Emanuele Ndoj mbylli një sezon të shkëlqyer me Breshian, teksa ekipi ku aktivizohet mesfushori shqiptar u shpall kampion i Serie B. Sipas “Gazzeta Dello Sport”, për shërbimet e 22-vjeçarit interesohet Palermo.
Klubi sicilian nuk mundi të siguronte rikthimin në elitën e futbollit italian, madje ata u dënuan me zbritje në Serie C për mashtrim në bilancet financiare, dënim ky që u shfuqizua pas apelimit nga ana e klubit.
Palermo ka ndërruar pronarë pak muaj më parë. Presidenti ikonë i këtij klubi, Zamparini, i dha fund njëherë e mirë me futbollin dhe vendin e tij e kanë zënë një grup biznesmenësh anglezë, të cilët duan të rikthejnë klubin në Serie A.
Megjithatë, gjasat që ky transferim të ndodhë janë shumë të pakta. Rikthimi në Serie B do të ishte një hap mbrapa për mesfushorin shqiptar, i cili pas tri vitesh në këtë divizion do të ketë mundësinë të provojë për herë të parë emocionet e një prej kampionateve më elitar në Europë siç është Serie A.