Uanda Nara është takuar me Xhusepe Marotën për rinovimin e Mauro Ikardit dhe diçka të tillë e zbulon për “Tiki Taka”. Agjentja dhe gruaja e kapitenit të Interit e vlerëson shumë administratorin e deleguar të klubit zikaltër, por nuk zbulon më shumë nga biseda e bërë.
Nara jep mendimin e saj dhe për Ivan Perishiç. Kroati nuk ndihet i lumtur në Milano dhe kërkon largimin. Nara beson se shkaqet mund të jenë personale, pasi nuk ka një shpjegim tjetër.
“Kemi një drejtues të sinqertë, i cili bisedon dhe të jep shpjegimet e duhura. Nuk kemi biseduar për shifra, Interi ka prioritete të tjera dhe Ikardi është kapiteni. Mauro insiston gjithmonë në faktin që kërkon të lërë mënjanë protagonizmin e tij dhe dëshiron vetëm te ndihmojë skuadrën. Marota më pëlqen, më duket një person i sinqertë dhe sot e tregoi diçka të tillë. Kjo është ajo që kemi nevojë, pasi në futboll ka shumë hipokrizi. Ai të sheh në sy dhe të thotë të vërtetën. Perishiç? Nuk është hera e parë që e akuzojnë se ka luajtur dobët. Ndoshta Ivan kërkon të largohet për shkaqe personale”, përfundon Uanda Nara.