Napoli i Karlo Ançelotit humbi me rezultatin 2-0 në çerekfinalen e parë kundër Arsenalit në Europa League, ndërsa nesër do të tentojë një “remuntada” të madhe në një “San Paolo” të zjarrtë. Italiani foli sot në daljen për mediat një ditë para ndeshjes.
Trajneri beson te përmbysja. Sipas tij, nëse luajnë me zemër dhe me mendje, gjithçka është e mundur. Karleto jep dritën jeshile mbi qëndrimin e spanjollit Kajehon dhe e mbyll me humbjen e papritur të Juventusit mbrëmë.
MUNDËSIA E PËRMBYSJES – “Do të na duhet të luajmë me zemër dhe me tru. Duhet të mos na mungojë guximi. Nuk duhet të jemi aq të depërtueshëm në mbrojtje. Të bëjmë ndeshjen perfekte. Tifozët do të jenë një shtysë e madhe për të triumfuar. Rezultati na penalizon, por ne do bëjmë çfarë kemi në dorë.”
KAJEHON – “Do të qëndrojë. Kjo është dëshira e tij dhe e jona. Është një lojtar që e ndjen rëndësinë e fanellës së kësaj skuadre. Ai është pikë kyç për ne.”
KAPITULLIMI I JUVENTUSIT – “Mbrëmë u dëshmua se në Evropë gjithçka është e paparashikueshme. Juventusi nuk e përgatiti mirë ndeshjen. Ajaksi u tregua një ekip i madh. Ata gjithmonë prodhojnë lojtarë të mëdhenj. Në Itali është e pamundur të programosh për të ardhmen, sepse të gjithë duan rezultat menjëherë”, përfundoi Ançeloti.