Emri i momentit tek ekipi i Xhenoas është Kristof Piatek, i cili kryeson renditjen e golashënuesve të Serie A me 13 gola. Por, polaku nuk është surpriza e vetme e ekipit ligur, pasi një tjetër sulmues po bën paraqitje të mira dhe ka përfunduar në merkato.
Flasim për Kristian Kouame, 21-vjeçarin nga Bregu i Fildishtë. Sulmuesi ka shënuar 3 gola në kampionat, ndërsa pas tij janë vënë Napoli me Romën. Klubi i De Laurentis ndodhet në avantazh për sigurimin e shërbimeve të lojtarit dhe “Sky Sport” zbulon planin e Napolit për të mbërritur te Kouame.
Drejtori sportiv, Xhuntoli po negocion fort me Xhenoan dhe agjentin e afrikanit. Qëllimi është mbyllja e marrëveshjes, ndërsa Napoli do të huazojë menjëherë pas akordit lojtarin deri në fund të sezonit te Xhenoa, që nga ana e saj nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e Kouame në merkaton e janarit.