Naftëtari ka dalë në stërvitjen e parë zyrtare për sezonin e ri futbollistik dhe ditën e premte skuadra ka zhvilluar seancën e parë nën drejtimin e dyshes drejtuese të sezonit kaluar të përbërë nga tekniku Barjam Fraholli dhe ndihmësi i tij Ardian Bani. Në të vërtetë sportdashësit kuçovarë i janë gëzuar më së shumti rifillimit të stërvitjes, pasi skuadra prej një periudhe të gjatë kishte mbetur në mes katër rrugëve.
Në fakt, ka kohë që klubi dhe presidenti Selfo Kapllani ishin vënë në lëvizje, si për të riorganizuar skuadrën nga e para ashtu edhe për të gjetur stafin e ri teknik. Pas disa kandidaturave që kanë pasur në tryezën e punës, ku nuk kanë munguar as kontaktet e drejtpërdrejta me këta kandidatë, mesa duket qenia në një grup së bashku me Shkumbinin edhe në sezonin e ri i ka trembur kandidatët potencialë, të cilëve u ishte vendosur edhe një kusht i panegociueshëm që të mos merrnin në skuadër asnjë titullar me eksperiencë nga sezoni i kaluar.
Kështu, skuadra do të drejtohet sërish nga dyshja e sezonit kaluar Fraholli- Bani, të cilët edhe pse e rrëzuan skuadrën nga kategoria, sërish janë konsideruar si e vetmja alternativë drejtimi për sezonin e ardhshëm.
“Ky është Naftëtar i ri me stof të vjetër”, kanë ironizuar sportdashësit kuçovare, pasi kanë mësuar që skuadra do të drejtohet sërish nga stafi i sezonit kaluar, që as nuk dha dorëheqje pas dështimit, por edhe as nuk mbajti asnjë përgjegjësi për drejtimin e dobët dhe krejt të dështuar. Me të drejtë në Kuçovë e kanë konsideruar si një krizë drejtimi faktin që tekniku Fraholli është i palëvizshëm nga drejtimi i Naftëtarit.
Edi Spahiu