Mesfushori i Skënderbeut, Gjergji Muzaka, e ka marrë me qetësi barazimin kundër Jang Bojs, duke mos shprehur ndonjë keqardhje të madhe për fitoren e ikur nga duart në pak minuta.
“Jam i kënaqur, edhe pse nuk fituam. Është ndeshja e dytë që luajmë shumë mirë dhe shënojmë, ndaj rivalëve shumë të fortë. Me pak kujdes mund të fitonim, kjo është ajo që më gëzon, sepse Skënderbeu po tregon që nuk ka diferenca me askënd. Nuk jemi më thjesht pjesëmarrës, por po luajmë si të barabartë me kundërshtarët. Kjo ëhstë diçka shumë e mirë jo vetëm për Skënderbeun, por për gjithë futbollin shqiptar”.
Goli i pësuar pas golit të Skënderbeut? “Më vjen keq, nuk di ç’të them. Mund të ndodhte edhe e kundërta, edhe ata patën shumë raste”.
E ardhmja? “Futbolli është pasioni im më i madh dhe kam investuar shumë vite, ndaj nuk mund të shkëputem lehtë. Më vjen mirë që vazhdoj të luaj dhe të jap kontributin tim te ekipi momentalisht më i mirë në Shqipëri”.
Pozicioni në fushë? “Tani kam fituar aq eksperiencë sa të luaj pa problem kudo që të më kërkohet. Mund të luaj pa problem edhe në sulm, por tani kam mësuar të ndihmoj shumë edhe në aspektin mbrojtës”.