Zhoze Murinjo u largua nga Mançester Junajtid pa u mbyllur gjysma e sezonit. Humbja me Liverpulin bëri që drejtuesit e klubit anglez ta mbyllnin para kohe marrëveshjen me portugezin. Emri i tij është lakuar në shumë klube, ku spikat Reali i Madridit.
Ai ka qenë edhe më parë në krye të madrilenëve dhe e di mirë se çfarë do të thotë t’i drejtosh ata. “A do rikthehesha në një klub ku kam qenë më parë? Nëse mendoj se është klubi i duhur, me strukturën e duhur dhe synimet e duhura, nuk e kam aspak problem”, shprehet Murino në “BeIN Sports”.
“Mendoj se është një arsye për të qenë krenar kur një klub ku keni punuar më parë ju kërkon të ktheheni. Reali është një klub ikonë, ju e dini, ata kanë fituar 13 herë trofeun e Champions League”, shtoi portugezi.
Murinjo thekson se keqardhje pas largimit ka ndjerë vetëm pasi iku nga Mançester Junajtid. Nga klubet e tjera ai ruan kujtime të mira dhe nuk i mbetet gjë peng. “I vetmi klub ku jam larguar me pengje është Mançester Junajtid. Kur ika, mendoj se kisha ende gjëra për të arritur, ndryshe nga klubet e tjerë, ku dhashë gjithçka dhe jam larguar me ndjesi të shkëlqyera”.