Përmbysja e Totenhemit dhe shthurja e Ajaksit në pjesën e dytë e ka tërbuar Zhose Murinjon, i cili pas takimit akoma nuk e besonte atë që kishte ndodhur.
Sipas portugezit, Ajaksi meriton të gjithë komplimentat, por diçka e tillë nuk mund të falej. Murinjo i shton dozat e kritikave, teksa thotë se “Harkëtarët” po luanin sikur kishin përballë Viteshen në pjesën e dytë.
“Ajaksi meriton të gjithë komplimentat dhe admirimin e çdokujt që e dashuron futbollin. Por futbolli është një sport mjaft i luftuar dhe për këtë arsye të duhet një strategji. Që të fitosh një ndeshje, sidomos ato specialet, ndonjëherë duhet të dalësh edhe nga filozofia që ke pasur gjithmonë.
Të gjithë e dimë lojën e Ajaksit dhe dobësinë e tyre. Në pjesën e dytë ata udhëhiqnin 3-0 në rezultat të përgjithshëm dhe Blind e De Ligt shpesh ishin shumë larg mbrojtjes. Duhet të mbanin patjetër balancën. Por ata zgjodhën filozofinë e tyre dhe luajtën sikur kishin përballë Viteshen në kampionatin holandez. Totenhemi ishte me fat. Zotat e futbollit ishin me ta. Askush nuk e beson këtë që ndodhi.”