Milan vazhdon të kërkojë një lojtar për repartin ofensiv. Luis Muriel nuk u arrit dot, pasi kolumbiani është pranë kalimit te Fiorentina. Megjithatë, kuqezinjtë vazhdojnë punën dhe katër janë alternativat për repartin ofensiv.
Siç citon “Gazzetta dello Sport”, Leonardo dhe Maldini kanë përcaktuar tre emra për sulmin e Gatuzos: Marko Pjaca, Adem Ljajiç, Kevin Princ Boateng dhe Rodrigo De Paul. Kroati është huazuar nga Juventusi te Fiorentina, aty ku nuk po arrin të bëjë diferencën.
Ljajiç, i cili është aktivizuar dhe me Interin, la Torinon për të kaluar në Turqi te Beshiktashi, aty ku po aktivizohet me sukses, por problemet financiare të ekipit turk mund të detyrojnë lojtarin të rikthehet në Serie A me Milanin që po monitoron situatën.
Emri i tretë është një ish. Ganezi i Sasuolos nuk e ka mohuar kurrë dëshirën për t’u rikthyer në Milanelo, aty ku kaloi tre sezone. Raportet mes klubeve janë shumë të mira dhe një gjë e tillë do lehtësonte rikthimin e Boateng te Milani.
Nga ana tjetër, “Djalli” është futur në garë për shërbimet e Rodrigo De Paul. “Tuttosport” zbulon se agjenti i argjentinasit të Udinezes ka patur kontakte të shumta me Leonardon gjatë vjeshtës, ndërsa negociatat kanë nisur përsëri. 24-vjeçari është pika më e fortë e ekipit friulan, zotëron teknikë, forcë, sens goli si dhe bën mirë rolin e mesfushorit ofensiv, por dhe krahët e sulmit.
Kuqezinjtë nuk mund të shpenzojnë shumë, por De Paul është një dëshirë e madhe e drejtuesve dhe do të bëhet maksimumi për të siguruar shërbimet e tij.