“Gardiani” i përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriç, ka kaluar një sezon me pak aktivizime te Mançester Siti. Pep Guardiola ia ka besuar çelësat e portës në vetëm pesë raste, kryesisht në ndeshjet e kompeticioneve dytësore si ‘FA Cup’ dhe ‘Carabao Cup’.
Pavarësisht aktivizimeve të pakta, Muriç ka filluar të tërheqë interesin e klubeve të ndryshme në Angli. Portali pranë skuadrës së Preston North End, “deepdaledigest.com”, raporton se drejtuesit e ekipit që militon në Championship kanë shfaqur interes për të huazuar 20-vjeçarin për sezonin e ardhshëm.
Klubi i Preston bashkëpunon prej vitesh me Mançester Sitit. Përgjatë viteve të fundit shumë talente premtues të akademisë së kampionëve të Anglisë janë huazuar te skuadra modeste.
Një tjetër fakt që largon portierin e Kosovës nga Mançester Siti është riaftësimi i kilianit Klaudio Bravo, kontrata e të cilit me Sitin zgjat edhe për një sezon.