Shkëlqim Muça ka komentuar ndeshjet e javës së 27-të të Kategorisë Superiore në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”. 58-vjeçari nuk i ka kursyer kritikat për paraqitjen e dobët të Teutës në fazën e tretë, ndërsa mbetet optimist për Tiranën e futur në garën për mbijetesë.
TEUTA – “E kam thënë dhe herë të tjera, Teuta është një ekip pa personalitet. Ata kanë bërë një fazë të tretë shumë të keqe. E filluan me një seri barazimesh dhe e mbyllën me një ndeshje skandaloze. Ishte një ndeshje e çuditshme, në çdo sulm të Laçit rrezikohej për gol. Futbolli ka dhe ndeshje të tilla”.
PARTIZANI – “Kësaj here e pashë Partizanin shumë të çekuilibruar, sidomos në mbrojtje. Ishte një problem në tërësi. Skuadra u nervozua shumë pas golit të dytë. Ekipi u shkërmoq, nuk dukej se ishte skuadra që kryesonte. Për fatin e tyre rivali humbi gjithashtu. Merita i takojnë dhe kundërshtarit, që ishte shumë i qetë”.
TIRANA – “Tirana duhej treguar më shumë cinike, pasi krijuan shumë raste. Nuk e shikoj të rrezikuar si vitin e kaluar, pasi skuadra ka një grup më të plotë se përpara dy vitesh. Gjithsesi kampionati është i fortë dhe duhet të fillojnë të fitojnë ndeshje. Duhet të dish ta drejtosh një skuadër, pasi është biznes, nuk është si dikur që investonte shteti disa lek. Gjykimi? Nuk mendoj se është mirë që të flitet shumë për arbitrat, siç u pa ndaj Flamurtarit u dha penalltia”.