Liria kërkon sulmuesin që mbylli sezonin me Kamzën, ndërsa Prishtina ka kontaktuar mesfushorin shkodran. Priten edhe lëvizje të tjera drejt Superligës
Mario Morina shënoi 10 gola vjet me Kamzën, por është larguar nga aty dhe pritet të vijojë karrierën në tjetër ekip. Nëse nuk do të jetë në Superiore, do të jetë në Superligën e Kosovës, aty ku për shërbimet e sulmuesit kryeqytetas interesohet Liria e Prizrenit. Kështu shkruhet në mediat kosovare, teksa emërimi i Bledi Shkëmbit si trajneri i bardhezinjve ka hapur rrugën e kalimit të disa futbollistëve atje. Më parë kemi raportuar për interesimin që Liria ka për qendërmbrojtësin Ervis Kaja, ndërkohë që në listën e tyre është edhe Sebino Plaku. Lëvizjet nga Superiorja në Kosovë duket se janë kthyer në modë, teksa pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe në UEFA edhe pagat atje kanë pësuar një rritje të ndjeshme dhe gradualisht klubet e atjeshme do konkurrojnë me një pjesë të mirë edhe të klubeve shqiptare. Sigurisht kampionati atje nuk ka nivelin e Superiores dhe ka shumë vend për t’u përmirësuar, sidomos në infrastrukturë, por shenjat e para janë intensive. Deri më tani janë bërë zyrtare rikthimet e Kushtrim Lushtakut dhe Astrit Fazliut, ndërkohë që pritet të ketë lëvizje të tjera në aksin Shqipëri-Kosovë.
NIKA – Një tjetër klub që ka hedhur sytë nga Superiorja është klubi i Prishtinës, që mësohet se po interesohet për mesfushorin Ansi Nika. Ditët e fundit ka pasur një kontakt mes tij dhe drejtuesve të klubit bardhekaltër, që i kanë shprehur interesimin e tyre anësorit që e mbylli sezonin me skuadrën e Laçit. Detaje financiare nuk janë bërë të ditura, por ata i kanë ofruar 26-vjeçarit një kontratë 2-vjeçare dhe presin një përgjigje nga shkodrani, i cili në Superiore ka luajtur edhe me Vllazninë, Teutën, Kukësin dhe Tiranën. Tashmë i mbetet lojtarit të vlerësojë ofertën e tyre dhe të marrë një vendim për të ardhmen.