Alvaro Morata ka zbuluar një prapaskenë merkato duke deklaruar që e dinte përpara Botërorit të Rusisë, që Kristiano Ronaldo do të transferohej te Juventus. Sulmuesi i Çelsit ka luajtur me bardhezinjtë, por dhe me portugezin te Reali i Madridit dhe tregon për transferimin e bujshëm të kësaj vere.
“Fillimisht mendoja që Kristiano Ronaldo do të rinovonte kontratën me Realin, por po komunikoja me një drejtues të Juventus, i cili më tregoi që ishin afër blerjes së Ronaldos. Nuk po e besoja dhe këtë informacion e kisha përpara fillimit të Botërorit. Gjithsesi, Kristiano la Realin për t’u transferuar në një tjetër klub spektakolar.
Mendoj që ai ka patur shkaqet e veta, por nuk besoj që u largua nga Reali, sepse nuk ndihej mirë me shokët, apo që nuk ishte në një ambient të mirë. Juventus mund të fitojë Champions, por jo vetëm prej Ronaldos. Ekipi i është afruar trofeut në vitet e fundit dhe taktikisht është një nga skuadrat më të forta. Kur të fillojë Ronaldo të shënojë gola, sepse çdo vit flitet njësoj dhe në fund ai shënon gjithmonë nga 50 gola, Juventus do të jetë pa dyshim, një ndër ekipet më të rrezikshme”, përfundon 25-vjeçari spanjoll.