Alvaro Morata nuk po zhvillonte sezone pozitive që pas largimit nga Juventusi. Sulmuesi spanjoll la Çelsin në janar për t’u transferuar tek Atletiko e Madridit. Kalimi tek ekipi i Diego Simeones e ka rikthyer në formë.
Ai ndihet më mirë psikologjikisht, por edhe në fushën e blertë. Morata shënoi dygolëshin e fitores përballë Maltës për kombëtaren spanjolle, golat e parë iberikë që pas ardhjes në jetë të dy binjakëve të tij.
Në një prononcim të dhënë pas ndeshjes së mbrëmshme, 26-vjeçari pranon që kritikët e tij janë të shumë dhe mezi presin dështimin e tij. Sulmuesi ka ndryshuar, sot mendon më shumë për skuadrën dhe falënderon Luis Enriken. Trajneri i Spanjës mungoi në sfidën kundër Maltës për një problem familjar dhe fitorja është e gjitha për të.
“Ka shumë njerëz që shpresojnë që të mos shënoj për të nisur kritikat ndaj meje. Luaj me Spanjën dhe Atletikon e Madridit, jam shumë i vëzhguar dhe kritikuar që kur fillova të luaj. Gjithkush shkruan dhe thotë atë që dëshiron. Disa vite më parë do të kisha ngrënë kokën time, ndërsa tani mendoj vetëm për të ndihmuar skuadrën.”
“Duhet të falënderoj Luis Enriken. Ai më ka mbështetur gjithmonë. Kundër Maltës kishim një motiv më shumë për të fituar. Trajneri e meriton këtë rezultat dhe ne jemi gati për të “vdekur” në fushë për të. Dygolëshi? Jam shumë i lumtur, janë dy golat e parë me kombëtaren që pas lindjes së fëmijëve të mi.”