Monako dhe Henri në kufijtë e “çmendurisë”, 73% e ekipit në infermieri

Monako ndoshta po përjeton sezonin e tij më të keq, prej shumë vitesh. Pas 13 javësh në Ligën e parë franceze e sheh të ndajë vendin e fundit me Guingampin, në kuotën e shtatë pikëve. Për të konfirmuar situatën që po kalon klubi nga principata, mjafton të hedhim një sy te dy ndeshjet e fundit të tyre.

Dy ndeshje në shtëpi, ndaj Klub Bryzh në Champions, dhe ndaj PSG në kampionat. Asnjë gol i shënuar, tetë të pësuar, dy humbje poshtëruese 0-4. Situata te Monako, është katastrofike. Tierri Henri, i cili u bë trajner i tyre para disa kohësh, me sa duket është penduar që vendosi të niste karrierën me klubin ku e nisi dhe si lojtar.

Gjithsesi, ndoshta dhe situata në të cilën ndodhet ekipi, mund ta ketë një arsye. Në ndeshjen ndaj PSG këtë fundjavë, dy lojtarë të tjerë u dëmtuan. Shtoj termin “të tjerë”, pasi numri tashmë ka shkuar në 17. E keni parë mirë, 17 lojtarë të dëmtuar, për një ekip që ka në dispozicion për të grumbulluar 23 të tillë, është diçka e pabesueshme.

Duke nisur nga portieri Subasiç, e për të përfunduar me sulmin, Roni Lopes, Jovetiç apo Pelegri, Henri duhet të vendosë duart në kokë. Një situatë e pazakontë, që ndoshta nuk mund të jetë parë ndonjëherë. Te Monako duket se asgjë nuk po shkon në drejtimin e duhur këtë sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *