Atmosfera te Real Madrid nuk është e mirë dhe një gjë të tillë e ka pranuar dhe Luka Modriç. Ekipi i Lopeteguit u mposht në Moskë përballë CSKA, ndërkohë që në tre ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Europës, Kampionët e Europës nuk kanë shënuar asnjë gol. Një statistikë e rrallë për ekipin madrilien dhe Modriç tregon mënyrën e duhur për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.
“Atmosfera në dhomat e zhveshjes nuk është e mirë. Sigurisht, nuk mendonim se do të ktheheshim pa pikë në shtëpi, por tani duhet të ngremë kokën dhe të përpiqemi të zgjidhim problemi sa më shpejt të jetë e mundur. Në tre ndeshjet e fundit, sidomos kundër Seviljes dhe CSKA, nuk kemi luajtur siç dimë dhe fakti që nuk arrijmë të shënojmë prej tre ndeshjesh, është pak shqetësues.”
“Por, jam i sigurtë që do të gjejmë mënyrën për të dalë nga kjo situatë. Duhet të kemi guxim, të jemi pozitivë dhe të vazhdojmë të punojmë. Kjo është mënyra për t’u rikthyer te fitoret”, përfundon prononcimin për “AS”, kroati i mesfushës së Real Madrid.