Trajneri i të kuqve: Ndeshja me Prishtinën shërbeu. Botevi i fortë fizikisht. FSHF do akordojë titullin që e ndaj me Agostinelin, Dervishi ishte poshtë meje
Klevis Paloka
Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka folur për “Sport Ekspres” pas ndeshjes miqësore me ekipin e Prishtinës. Numri një i stolit të të kuqve nuk i ka kursyer edhe kunjat për titullin e vjetshëm ku deklaron hapur se meritat kryesore janë të tijat.
Ndeshja me Prishtinën – “Ishte një test i mirë ku skuadra mori minuta. Shumica e lojtarëve morën 65-70 minuta. Jemi përgatitur mirë, të presim tani ndeshjen me ekipin bullgarët të Botevit. Gjendja e skuadrës ishte përgjithësisht e mirë. Prishtina na priti mbrapa, pasi skuadra jonë ishte më lart se ta. Ata donin të na godisnin me kundërsulm ne e rritëm volumin e lojës gradualisht”.
BOTEVI – “Synimi ynë është të ndërtojmë një skuadër kompetitive. Një ekip për të vazhduar objektivat tonë dhe për t’i realizuar. Sigurisht koha nuk ishte shumë e madhe në dispozicion. Largimet na dobësuan, sigurisht ne prisnim të vinte Torasa, na tha njëherë ‘po’, por pastaj për shkak të problemeve familjare nuk u paraqit. Ne do të përgatisim ekipin për eliminimin e Botevit, dhe objektivat tona nuk mbesin vetëm te kalimi i turit të parë apo të dytë, por deri në grupet e Europa Leagues. Kjo duke ndërtuar edhe ekipin, të shohim nëse do ja dalim”.
SUKAJ – BARDHI – “Sulmuesi ynë ka pësuar përsëri një dëmtim në gju që e ka lënë mbrapa, por të shohim deri në fund si do shkojë. Bardhi mund ta bëjë qendërsulmuesin, mbetet të shihen këto 2-3 ditë si do të shkojë”.
VENDIMI I ETIKËS – “Ne e kemi thënë se do të dënohet Skënderbeu, tani të shohim. Jemi duke pritur se çfarë do të ndodhë. Presim kthimin e titullit kampion. Jemi të qetë dhe e presim. Mendoj se shkallët e animimit kanë mbaruar, pasi vendimi ka ardhur nga Luzana dhe është i formës së prerë”.
DEKLARATAT E DERVISHIT – “Kampionatin e 2015-2016 e drejtova unë dhe isha drejtues më i lartë se Dervishi edhe kur ai ishte në postin e drejtorit. Edhe kur isha si trajner në dy fazat e para u mblodhën më shumë pikë se në dy fazat e dyta. Nëse titulli kthehet, një dorë e kam më lart se Agostineli. Dervishi s’ka punë me këtë punë, ka qenë drejtor dhe kaq. Nëse kthehet titulli, unë e ndaj me Agostinelin. Unë një dorë më lart, ai një dorë më poshtë, kjo se kam mbledhur më shumë pikë”.